14 nëntor 2026 · Afrim Bajraktari

Sa kushton reklama në Facebook dhe Instagram për një biznes në Gjermani?

Varet se çka blen. Një shikim kushton më pak se një cent, një bisedë me klient 2 deri 5 €, një porosi online rreth 10 €. Numra nga fushata që i kam menaxhuar vetë.

Kjo është pyetja e parë që ma bën çdo pronar biznesi. Përgjigjja e ndershme është se nuk ka një çmim. Ka disa çmime, sepse në Meta nuk blen “reklamë”. Blen një qëllim: të të shohin, të të ndjekin, të të shkruajnë ose të porosisin. Secili qëllim ka çmimin e vet.

Më poshtë janë numra nga tri llogari që i kam menaxhuar: një restorant shqiptar në Gjermani, një dyqan online në Gjermani dhe një organizator koncertesh në Spanjë. Klientët nuk i përmend me emër.

Përgjigjja e shkurtër

Çka blen Sa ka kushtuar në fushatat e mia
1.000 shfaqje të reklamës 1,18 deri 2,45 €
Një njeri që e sheh reklamën më pak se një cent
Një reagim në postim 0,03 deri 0,30 €
Një ndjekës i ri rreth 0,40 €
Një bisedë në mesazhe 2 deri 5 €
Një porosi në dyqan online rreth 10 €

Sa më afër parave të jetë qëllimi, aq më shumë kushton. Kjo është normale: një njeri që porosit vlen më shumë se një njeri që vetëm e pa reklamën.

Shikueshmëria: shumë njerëz, pak para

Për restorantin, një fushatë me 120 € u shfaq 78.011 herë dhe arriti 50.169 njerëz në zonë. Kjo del 1,54 € për 1.000 shfaqje.

Për krahasim, mesatarja e reklamave në Meta në Gjermani është rreth 14,80 € për 1.000 shfaqje, sipas Superads. Diferenca është e madhe, por duhet lexuar drejt. Mesatarja përfshin të gjitha llojet e fushatave, edhe ato për shitje, që janë gjithmonë më të shtrenjta. Fushata e restorantit kishte vetëm një qëllim, shikueshmërinë, dhe ky është lloji më i lirë.

Çka fiton me këtë: lagjja mëson se ekziston. Çka nuk fiton: nuk e di sa prej tyre erdhën në lokal. Për këtë duhet matje tjetër.

Ndjekës dhe reagime

Në të njëjtën llogari, një ndjekës i ri ka kushtuar rreth 0,40 €, dhe një reagim në postim nga 0,03 deri 0,30 €. Te dyqani online, mesatarja ishte 0,05 € për reagim.

Ndjekësit nuk janë klientë. Por një faqe me ndjekës të vërtetë nga zona jote e ka më lehtë çdo fushatë që vjen pas, sepse njerëzit e njohin emrin.

Mesazhe: kur klienti të shkruan

Fushatat që kërkojnë biseda në Messenger, Instagram ose WhatsApp kanë kushtuar 2 deri 5 € për bisedë. Për një restorant që pranon rezervime, ose për një shërbim ku klienti pyet para se të vijë, kjo është shpesh fushata me më së shumti kuptim.

Porosi online: këtu shihet a del llogaria

Për dyqanin online, 41.800 € reklamë sollën 4.036 porosi të gjurmuara. Kjo del 10,36 € për porosi. Vlera mesatare e një porosie ishte rreth 110 €, pra çdo 1 € në reklamë solli 10,58 € shitje.

Tri gjëra për ta lexuar drejt këtë numër:

  • Është shitje, jo fitim. Nga 110 € duhet hequr malli, dërgesa dhe puna.
  • Janë shitje që Meta ia atribuon reklamës. Matja nuk është e përsosur në asnjë sistem.
  • Ky rezultat nuk erdhi në muajin e parë. Llogaria ishte ndërtuar me kohë, me faqe, ndjekës dhe të dhëna nga blerjet e mëparshme.

Rezultatet ndryshojnë shumë edhe brenda të njëjtës llogari. Te organizatori i koncerteve, fushata më e mirë solli 17,97 € shitje biletash për 1 € reklamë. Fushata të tjera, në të njëjtën llogari, sollën shumë më pak.

Çka e ngre ose e ul çmimin

  • Qëllimi. Siç u pa më lart, ky është faktori më i madh.
  • Stina. Sipas të njëjtit burim, mesatarja në Gjermani ishte 23,74 € për 1.000 shfaqje në nëntor 2025 dhe 9,81 € në shkurt 2026. Para festave reklamojnë të gjithë, dhe çmimi rritet.
  • Madhësia e publikut. Shqiptarët në një qytet janë publik i vogël. Reklama arrin shpejt te të gjithë, dhe pastaj të njëjtët njerëz e shohin shumë herë.
  • Vetë reklama. Nga përvoja ime, një foto e vërtetë e produktit zakonisht del më lirë se një material i përgjithshëm, sepse njerëzit ndalen ta shohin.

Sa buxhet duhet për të nisur

Klientët e mi zakonisht nisin me 190 deri 300 € në muaj për reklama. Nuk ka shumë të caktuar që vlen për të gjithë.

Restoranti në këtë shembull ka shpenzuar rreth 1.600 € në pesë muaj, pra mesatarisht rreth 320 € në muaj. Me aq, lagjja e njohu dhe faqja mori 1.314 ndjekës të rinj.

Rregulli im është ky: fillo me një qëllim, mat një muaj, dhe rrite vetëm atë që punon.

Dy pagesa të ndara

Buxhetin e reklamës e paguan ti, nga llogaria jote, drejt e te Meta. Aty i sheh shpenzimet në çdo kohë. Kush t’i menaxhon reklamat, të faturon veç punën e vet. Nëse dikush kërkon t’ia japësh atij paratë e reklamës, pyet pse.

Kufijtë e këtyre numrave

Janë numra nga tri llogari, jo studim i tregut. Nuk janë garanci për biznesin tënd. Rezultati varet nga produkti, çmimi, zona, stina dhe buxheti. I ndaj sepse një numër i vërtetë, edhe nga një rast i vetëm, të ndihmon më shumë se “varet”.

Nëse do ta dish çka do të kishte kuptim për biznesin tënd, më trego për të. Biseda e parë është 30 minuta, falas.

Burimet


Pyetje për këtë shkrim? Më shkruaj. Të gjitha shkrimet: blogu.